Dihet që inteligjenca artificiale, sidomos Chatgpt-ja,është bërë pjesë e jetës sonë të përditshme. Mjafton t’i bësh një pyetje dhe përgjigja të vjen menjëherë, por a na ndihmon kjo gjë?
Nga njëra anë inteligjenca artificiale është si një mik që i di të gjitha. Nëse nuk ke kuptuar një mësim ajo ta shpjegon. Nëse do ndihmë për të mësuar një tekst ajo ta përmbledh.
Nga ana tjetër shpesh përdoret për të mbaruar një detyrë me shpejtësi. Le të jemi të sinqertë. Sa herë kemi kopjuar përgjigjen pa e kuptuar çfarë kemi shkruar? Sa herë kemi zgjedhur lehtësinë para mundimit?
Mendoj se një aspekt shumë i rëndësishëm i përdorimit të inteligjencës artificiale lidhet me gjuhën shqipe. Kur nxënësit kopjojnë përgjigje të gatshme nga inteligjenca artificiale pa i kuptuar, ata humbin mundësinë për të menduar dhe për t’u shprehur me fjalët e tyre. Kjo sjell varfërim të fjalorit, më pak kujdes ndaj drejtshkrimit dhe dobësim të aftësisë për të ndërtuar fjali të qarta në shqip.
Gjuha shqipe ruhet dhe zhvillohet vetëm kur përdoret në mënyrë aktive. Nëse inteligjenca artificiale shërben si ndihmë për të kuptuar rregullat gjuhësore, për të analizuar tekste ose për të përmirësuar shkrimin, ajo mund të ketë një rol pozitiv. Por nëse zëvendëson të menduarit dhe shkrimin personal, atëherë dëmton jo vetëm mënyrën e të menduarit, por edhe gjuhën tonë.
Pra, inteligjenca artificiale nuk është as e mirë e as e keqe. Është mënyra e përdorimit që bën gjithë dallimin.
Pyetje:
A mendoni se inteligjenca artificiale do të dëmtojë mënyrën e të menduarit te brezat që vijnë?

Leave a Reply